Ahmadinejad mbërrin në Kubë

12/01/2012 16:45

Në kuadër të turit të vizitave në Amerikën Latine, presidenti iranian, Mahmud Ahmadinejad mbërriti në Kubë ku u prit nga homologu, Raul Castro.

Takimi mes dy presidentëve është mbajtur ditën e mërkurë në Havana.

Sic njoftojnë mediat ndërkombëtare, lideri iranian dhe ai kuban kanë ratifikuar një marrëveshje ku shprehin angazhimin e vendeve përkatëse në mbrojtje të paqes globale, të drejtën ndërkombëtare dhe parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe të drejtën e cdo shteti për pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore.

Mes dy vendeve janë nënshkruar edhe një sërë marrëveshjesh të tjera për bashkëpunimin ekonomik dhe për shkëmbim eksperiencash në fushën energjitike.

Turi i Ahmadinejad cilësohet si një përpjekje e liderit të Republikës Islamike për të siguruar aleatë kundër perëndimit, që ka shtuar presionin ndaj Iranit për programin e tij bërthamor. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të Europës Perëndimore bënë thirrje për sanksione shtesë ndaj Teheranit. Këto thirrje u pasuan nga kërcënimi i Iranit për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit në Gjirin Persik, ngushticë nëpërmjet së cilës kalon 40 përqind e sasisë së naftës botërore.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe iu kundërpërgjigjen Teheranit duke deklaruar se nuk do të toleronin kurrfarë bllokimi të kësaj ngushtice, madje Londra shkoi më tej, duke thënë se do të ndërhynte edhe ushtarakisht po të ishte e nevojshme.

Zbutja e tensioneve, do të mbërrinte pas shpëtimit të 13 peshkatarëve iranianë nga luftëanijet amerikane që ndodhen në rajon. Peshkatarët mbaheshin peng nga piratët somalezë. Irani përshëndeti lirimin e tyre, duke e quajtur një veprim human.

Top Channel