SHBA: Nuk kemi gisht në vrasjen e shkencëtarit

11/01/2012 21:35

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan vrasjen e një shkencëtari bërthamor iranian me një autobombë, ndërsa theksuan se janë tërësisht të huaj me këtë ngjarje.

Teherani akuzoi shërbimet sekrete amerikane dhe izraelite për atentatin e ndodhur mesditën e së mërkurës.

Shkencëtari i quajtur Mostafa Ahmadi-Roshan, punonte në një qendër të pasurimit të uraniumit në Natanz. Disa shkencëtarë bërthamorë iranianë janë vrarë në vitet e fundit, ndërsa autoritetet gjithmonë kanë fajësuar agjenturat perëndimore për këto ngjarje.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë lidhje me këto vrasje. Ne dënojmë ashpër çdo akt të dhunës, sidomos ato kundër jetës së çdo njeriu të pafajshëm”, deklaroi një zëdhënës i Uashingtonit.

Zëvendëspresidenti i Iranit, Mohammad Reza Rahimi, u shpreh në televizionin shtetëror se sulmi nuk do të ndalë progresin e programit bërthamor të vendit të tij, ndërsa e cilësoi atë si “goditjen e radhës të ndyrë” të agjenturës amerikano-izraelite.

Vrasja në Teheran të Mostafa Ahmadi-Roshan erdhi pas një sulmi të sofistikuar kibernetik ndaj një qendre të rëndësishme ushtarake dhe dy shpërthimeve misterioze në një bazë ushtarake.

Këshilli i Sigurimit në OKB ka kaluar gjashtë rezoluta dhe katër raunde sanksionesh ndaj Iranit, por Kina dhe Rusia pritet të bllokojnë çdo masë të mëtejshme që mund të propozohet.

Top Channel