Rusi, kandidati për president mohon mashtrimin

11/01/2012 15:45

Një kandidat për president në Rusi, Dmitry Mezentsev, hodhi poshtë akuzat se grupi i tij i fushatës zgjedhore ka mashtruar.

Më parë, një gazetë publikoi një artikull, në të cilën ai akuzohej se kishte punësuar studentë, të paraqitur si vullnetarë, për të mbushur në mënyrë fiktive listat e mbështetësve të tij.

Në bazë të kushtetutës ruse, për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të 4 marsit, një kandidat i pavarur duhet të grumbullojë dy milion firma dhe është e ndaluar që të përmbushë këtë numër nëpërmjet pagesës apo shpërblimit të çdo forme.

Në një intervistë në radion “Ekho Moskvy”, gjatë së mërkurës, Mezentsev hodhi poshtë të gjitha akuzat, të cilat i konsideroi dashakeqëse. “E vetmja gjë që kemi bërë me studentët është t’i trajnojmë, për të arritur që të marrim në kohë firmat e nevojshme. Gjithçka tjetër është vetëm spekulim dhe shpikje”, u shpreh ai.

Megjithatë, një grupim aktivistësh është i sigurt se Mezentsev po gënjen dhe ka publikuar në faqen e tij në internet tre video, ku pjestarë të grupit elektroral të kandidatit paguajnë njerëz.

Për mediat, mbetet e paqartë se përse Mezentsev ka hyrë në fushatën presidenciale në Rusi. Sipas sondazheve, ai as që do të konsiderohet nga shumica dërmuese e votuesve.

Ai është guvernator i Siberisë dhe njihet si një mbëshetës i ngushtë i Kryeministrit Putin, i cili gjithashtu kandidon për president. Dyshohet se Mezentsen po hyn në garë për të ligjëruar zgjedhjet, nëse kandidatët e tjerë bojkotojnë duke u tërhequr.

Në bazë të kushtetutës ruse, një president nuk mund të zgjidhet nëse nuk ka përballë asnjë rival tjetër. Më parë, opozita ka kërcënuar me braktisjen e garës, nëse nuk përmbushen disa kushte të konsideruara prej tyre si të domosdoshme, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira.

Top Channel