Indonezi, kthehet frika e tsunamit

10/01/2012 23:30

Autoritetet në Indonezi kanë lëshuar një paralajmërim për tsunami pasi një tërmet i fuqishëm goditi provincën e Aceh-së.

Tërmeti i magnitudës 7,3 ballë sipas shkallës Rihter e kishte epiqëndrën në 29 kilometra thellësi, duke tronditur brigjet perëndimore të Sumatrës.

Për momentin nuk ka informacione për dëme apo viktima në njerëz.

Tërmeti i madh i dhjetorit 2004 në Indonezi shkaktoi dallgën gjigande të tsunamit në oqeanin Indian që mori 230.000 jetë njerëzish.

Banorët e Banda Aceh-së, kryeqytetit të provinces dhe ata të qyteteve të tjera bregdetare janë turrur nëpër rrugë të tmerruar. Lëkundjet e tokës i kishin gjetur në gjumë.

Tërmeti goditi pak pas mesnatës me orën lokale. Vetë pozicioni i saj gjeografik e bën Indonezinë një vend të prirur për trazira sizmike, duke qenë se ndodhet në të ashtuquajturën “unazë e zjarrit “ në paqësor, një prej rajoneve me aktivitetin më të lartë sizmik të globit.   

Top Channel