Gjata: Presidenti, kuorum i thjeshtë

10/01/2012 19:50

Rustem Gjata thotë se shumica e cilësuar prej 84 deputetësh është e domosdoshme në tre raundet e para të votimit për Presidentin e Republikës, për ta zgjedhur atë, por jo për kuorumin në sallë.

Zoti Rustem Gjata, ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese nga vitit 1992 deri në vitin 1998. Për të mbështetur qëndrimin e tij, ai i referohet nenit 87 të Kushtetutës.

”Neni 87 i kushtetutës, as në mënyrë të tërthortë nuk i referohet kuorimit, por bën fjalë vetëm për votimin. Presidenti zgjidhet me së paku 3/5 e votave, pra pjesëmarrja s’është objekt, por votimi. Shkak për moszgjedhjen e presidentit mund të  jetë mospjesëmarrja, por pavlefshmëria duhet të shprehet shprehimisht në kushtetutë, siç ndodh për funksione të tjera. Përshembull, në nenin e parë për përzjedhjet e Prokurorit, Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe funksione të  tjera të tilla, shkruhet shprehimisht se ai duhet të  ketë dorëzuar me parë çdo detyrë, si deputet, Ministër, etj. Neni i dytë  thotë që çdo mandat i fituar në kundërshtim me këtë dispozitë, është i pavlefshëm. Neni 87 për presidentin nuk e thotë këtë”, shprehet Gjata.

Megjithatë, ata që mendojnë ndryshe nga zoti Gjata, i referohen, ndër të tjera, edhe rregullores së Kuvendit, që thotë se “kur mungon numri i kërkuar i deputetëve për marrjen e vendimit, drejtuesi i seancës e shtyn seancën për 60 minuta dhe në rast se edhe pas kësaj kohe nuk arrihet numri i kërkuar, e anulon fare atë”. Zoti Gjata as nuk i hyn fare interpretimit të këtij neni të rregullores së Kuvendit, duke thënë se asnjë akt juridik nuk mund të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën. Madje, si i tillë, akti nuk ka nevojë fare të anulohet.

”S’ka nevojë të anulohet, pasi objektivisht është i mbyllur. Hierarkia absolute ligjore është e qartë. Kodi civil, në  nenin 92 thotë se janë të pavlefshme veprimet që bien ndesh me një dispozitë të shprehur, pra konkrete të ligjit. Për mua, këtu nuk ka vend për asnjë diskutim”, tha ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Zoti Gjata refuzon gjithashtu të marrë për analogji vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që e cilësoi zgjedhjen e Behxhet Pacollit president, si antikushtetuese, pikërisht sepse në dy raundet e para nuk votuan aq deputetë sa parashikon atje shumica e cilësuar. Sipas Rustem Gjatës, nuk mund t’i referohemi vendimit të një gjykate tjetër, sepse, vështirë të gjenden të njëjtat shkaqe dhe objekt gjykimi në dy çështje të ndryshme. Sa i takon një kërkese të mundshme për interpretim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zoti Gjata thotë se ky nuk është momenti.

”Procedurarilisht çdo njeri ka të drejtë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe me kërkesën më absurde. Procedurialisht nuk ka konflikt, por është e rëndësishme të mendohet përpara nëse kërkesa qëndron”.

Dhe çfarë ? Do të kishim pastaj një president, sipas Kushtetutës, siç zotohet kryeministri Berisha apo një president konsensual, sic kërkon opozita? Për momentin, secila prej mundësive për palën tjetër ngjan e papranueshme.

Top Channel