Egjipt, avokatët: Vdekje Mubarakut

10/01/2012 16:30

Avokatët e të drejtave civile në Egjipt kanë bashkuar zërat e tyre me akuzën e procesit të Mubarakut, duke kërkuar dënimin e tij me vdekje.

Sipas Shoqatës së Avokatëve Egjiptianë, njeriu që drejtoi me grusht të hekurt vendin për tre dekada duhet të ekzekutohet, pasi ai është përgjegjës për humbjen e jetëve të qindra protestuesve në revoltat e vitit 2011.

Në një komunikatë të publikuar për shtyp ditën e martë, shkruhej: “Bashkojmë zërin tonë me atë të prokurorëve që kanë kërkuar dënimin kapital për Mubarakun dhe ish-Ministrin e Brendshëm, Habib El Adly”.

Në procesin që tashmë ka nisur, kryeprokurori i vendit, Khalid Abu Bakr, u shpreh se akuza “ka prova” se pas vrasjes së 840 protestuesve dhe plagosjes së mijëra të tjerëve qëndrojnë urdhërat direktë të vetë Mubarakut.

Abu Bakr, gjithashtu kërkoi nga gjykata një zgjerim të hetimeve dhe lëshimin e mandatit të arrestit për disa dhjetëra persona të tjerë, si policët e identifikuar nëpër kamera duke qëlluar ndaj protestuesve ose duke i rrahur ata.

Javën e shkuar, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, lëshoi një notë zyrtare në të cilën shprehte “shqetësim të thellë” për vendimin e akuzës për të kërkuar dënimin me vdekje për Mubarakun 83-vjeçar. Moska bënte thirrje që të merrej parasysh mosha e thyer dhe gjendja e keqe shëndetësore e të pandehurit. Gjermania dhe Franca gjithashtu kanë shprehur shqetësim të njëjtë mbi procesin.

Top Channel