Siri, sulmi, reagon qeveria

07/01/2012 04:35

Ministria e  Brendshme siriane ka reaguar pas shpërthimit vetëvrasës në kryeqytetin Damask, ku u zotua se do të godasë çdokënd që cënon sigurinë e shtetit, ndërkohë që në anën tjetër ka vazhduar dhunën ndaj protestuesve.

“Ne do të godasim me grusht të hekurt të gjithë që ata që cënojnë sigurinë e kombit dhe qytetarëve. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve tanë të lajmërojnë për çdo situatë të dyshimtë,” tha Ministria e Brendshme, sipas medias shtetërore.

Por pavarësisht deklaratave të qeverisë, në Siri ditën e enjte humbën jetën më tepër se 60 persona.    

Sulmi vetëvrasës i Damaskut, ishte i dyti i këtij lloji në kryeqytet brenda dy javëve. Viktimat përfshinin kryesisht personelin e zbatimit të ligjit dhe disa civilë, bëri të ditur Agjencia e lajmeve Arabe e Sirisë. Të paktën 26 persona vdiqën dhe të 63 të tjerë u plagosën.

Ndëkohë që jashtë kryeqytetit, 35 persona u vranë, pas konfrontimeve mes forcave të sigurisë dhe protestuesve në periferi Damaskut dhe krahinat e Homs, Hama, Idlib dhe Daraa, siç bëjnë të ditur aktivistët.

Dy ditë më parë, lideri i grupit kryesor opozitar në Siri sfidoi vëzhguesit e misionit të Ligës Arabe, kur deklaroi se ata ose duhet të tregojnë provat, ose duhet të lënë vendin. 

Top Channel