Zhan D’Ark, “mollë sherri” në politikën franceze

06/01/2012 00:00

Presidenti francez, Nikolas Sarkozy, i ka bërë homazhe Zhan D’Ark në 600-vjetorin e lindjes së saj duke përkujtuar veprën e saj heroike në luftën kundër Anglisë.

Por kjo përkujtimore, e mbajtur vetëm 4 muaj në distancë nga zgjedhjet presidenciale në Francë, është quajtur si politike dhe është kritikuar fort sidomos nga partia e ekstremit të djathtë, “Fronti Kombëtar”.

“Zhan D’Ark nuk është e asnjë partie, Zhan D’Ark është e gjithë Francës dhe francezëve”, tha Sarkozy para mediave duke replikuar me deklaratat dhe kritikat e Frontit Kombëtar që figurën e Zhan D’Ark e përdor si simbol i politikave të veta kundër të huajve.

Hollande kërcënohet me vdekje

Ndërkohë, rivali i Sarkozy në zgjedhjet presidenciale, Francois Hollande, është kërcënuar me vdekje disa ditë më parë.

Sipas numrit të sotëm të së përditshmes “Metro”, që citon burime hetimore, një telefonatë anonime ka mbërritur të mërkurën në komisariatin e Merinjakut, në jug-perëndim të Francës.

Në këtë zonë, kandidati socialist për Elizeun po mbante takimin e tij të parë të fushatës elektorale, saktëson gazeta që shpërndahet falas.

Organi mediatik shton më tej se telefonata u krye vetëm pak orë para nisjes së tubimit dhe se të premten autoritetet kanë hapur një hetim.

Top Channel