Sudan, dhuna ndëretnike, 3 mijë të vrarë

06/01/2012 18:20

Mbi 3 mijë persona janë vrarë brenda pak ditësh si pasojë e dhunës së ashpër ndëretnike të ushtruar javën e kaluar në shtetin Jonlei, në Sudanin Jugor.

Lajmin e bën të ditur një drejtues i administratës lokale, Joshua Knyi, që citohet nga mediat kryesore ndërkombëtare.

“Kemi numëruar trupat dhe kemi llogaritur se 2.182 gra e fëmijë dhe 959 burra janë vrarë. Ka vrasje në vazhdimësi, është një masakër e vërtetë”, ka deklaruar Knyi.

Bëhet fjalë për një bilanc që deri tani nuk është konfirmuar nga burime të tjera, edhe pse Organizata e Kombeve të Bashkuara flet për disa qindra viktima.

Javën e kaluar, rreth 6 mijë të rinj të armatosur, anëtarë të tribusë Lu Nuer, kryen një ekspeditë në Pibor dhe rrethina kundër anëtarëve të tribusë Murle, të akuzuar për vjedhje të bagëtisë.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, aktet e dhunës kanë vazhduar edhe pas mbërritjes së ushtrisë, e cila ka hapur zjarr ndaj agresorëve të armatosur deri në dhëmbë.

Në fund të vitit të kaluar, Organizata e Kombeve të Bashkuara vendosi të dërgojë përforcime ushtarake në qytetin e Piborit, pikërisht për shkak të përshkallëzimit të frikshëm të sulmeve ndëretnike.

Ndërsa më herët gjatë dhjetorit, komandanti i një grupimi rebel brenda Sudanit, Khalil Ibrahim, mbeti i vrarë në një përballje me ushtrinë.

Top Channel