Siri, rreth 60 të vdekur

06/01/2012 20:40

Një sulm vetvrasës me bombë ndodhi mesditën e së premtes në kryeqytetin e Sirisë, Damask, duke shkaktuar 26 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Lajmin e përcollën mediat ndërkombëtare, duke iu referuar Televizionin Shtetëror Sirian. Ngjarja ka ndodhur në lagjen e quajtur Midan.

Shpërthimi ndodh vetëm dy javë pasi 44 persona mbetën të vrarë në një sulm të ngjashëm, për të cilin autoritetet fajësuan terroristët.

Lagjia Midan në Damask kishte përjetuar së fundmi disa protesta kundër presidentit Bashar al-Assad dhe regjimit të tij. Vëzhguesit e Ligës Arabe ndodhen në Siri në përpjekje për të normalizuar situatën, por dhuna ka vazhduar me të njëjtën valë pavarësisht prezencës së tyre.

Një banor i Midanit u shpreh për “Reuters” se me dhjetëra ambulanca kanë mbërritur në vendngjarje dhe se shumë persona kanë dalë në kërkim të të afërmve të tyre.

Protestat, edhe 35 viktima të tjera në Siri

Ndërkohë, të paktën 35 persona të tjerë janë vrarë po të premten nga forcat besnike ndaj presidentit Bashar al Assad, gjatë shtypjes së protestave popullore, në zona të ndryshme të vendit.

Lajmin e bën të ditur Komisioni i Revolucionit Sirian, një prej grupeve të të drejtave të njeriut që raporton përherë mbi viktimat që regjistrohen si pasojë e represionit.

Televizioni tregon pamje nga atentati kamikaz

Ndërkohë, televizioni shtetëror sirian ka treguar pamje nga vendi i atentatit kamikaz në Damask, që shkaktoi një masakër të vërtetë me 26 të vdekur.

Copa të trupave të njerëzve të hedhur në thasë mbeturinash, pellgje gjaku në tokë, vetura dhe automjete publike të dëmtuara kanë qenë pamjet e para.

Gjithashtu, televizioni ka treguar edhe njerëz nga vendi i ngjarjes që bërtasin: “Kjo është liria?”, duke iu referuar manifestimeve anti-regjim. Sipas BBC, objektiv i sulmit kamikaz ka qenë një autobus.


Opozita siriane: Vëzhguesit, të padobishëm

Udhëheqësi i grupit kryesor opozitar në Siri shtoi presionin mbi Ligën
Arabe, duke kërkuar që ata të bëjnë menjëherë një ndryshim ose të
largohen nga vendi.

Burhan Ghalioun u shpreh për “BBC” se vendet perëndimore duhet të krijojnë një “zonë të sigurt” brenda Sirisë dhe të imponojnë një ndalim-fluturimi në vendin arab.

Prej një jave, 100 vëzhgues të Ligës Arabe ndodhen në Siri dhe në bazë të planit, ata do të inspektojnë zona dhe krahina të ndryshme të vendit.

Megjithatë, lideri i Këshillit Kombëtar Sirian është i shqetësuar për faktin që prezenca e monitoruesve nuk ka sjellë asnjë qetësim të situatës, ndërsa ata ende nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim të fortë ndaj Damaskut zyrtar.

“Pranuam planin e Ligës Arabe për të dërguar vëzhgues në Siri vetëm sepse dëshironim të ekspozonim regjimin përpara opinionit ndërkombëtar. Nuk kemi menduar asnjëherë se monitoruesit do të ndalonin vrasjet. Megjithatë, nëse ata janë vetëm një zë i pafuqishëm përballë asaj që ndodh, mund të largohen nga Siria që tani”, u shpreh Ghalioun.

Sipas aktivistëve, të paktën 24 persona u vranë në vend gjatë së enjtes, ndërsa numri i viktimave në revoltat e nisura që në mars po prek cakun e 6 mijë personave. Më shumë se 600 janë viktima të shkaktuara nga torturat dhe ekzekutimet e kryera në burgje.

Megjithatë, numri i vërtetë i viktimave është i vështirë të përcaktohet, pasi mediat ndërkombëtare nuk kanë asnjë akses në vend.

Top Channel