Siri, dezerton gjenerali i parë

06/01/2012 21:45

Radhëve të qindra-mijëra ushtarëve dhe ushtarakëve të tjerë me grada më të ulëta në ushtrinë Siriane që kanë dezertuar duke u bashkuar me protestuesit, u shtohet edhe një gjeneral.

Bëhet fjalë për gjeneralin Mustafa Ahmad al-Sheikh i cili publikoi vendimin e tij nëpërmjet një videoje të transmetuar nga televizioni arab, Al Jazeera. Në video gjenerali fton të gjithë ushtarët të bashkohen me protestuesit duke akuzuar fort qeverinë dhe presidentit Basha al Assad.

“Gjenerali akuzon qeverinë siriane dhe autoritetet e sigurisë se po kërcënojnë paqen dhe unitetin social në vend si dhe po rrezikojnë seriozisht bashkëjetesën dhe integritetin territorial të Sirisë”, thotë Al Jazeera.

Sulm vetëvrasës në Damask

Një sulm vetvrasës me bombë ndodhi mesditën e së premtes në kryeqytetin e Sirisë, Damask, duke shkaktuar 26 viktima dhe dhjetëra të plagosur.


Lajmin e përcollën mediat ndërkombëtare, duke iu referuar Televizionin Shtetëror Sirian. Ngjarja ka ndodhur në lagjen e quajtur Midan.

Shpërthimi ndodh vetëm dy javë pasi 44 persona mbetën të vrarë në një sulm të ngjashëm, për të cilin autoritetet fajësuan terroristët.

Lagjia Midan në Damask kishte përjetuar së fundmi disa protesta kundër presidentit Bashar al-Assad dhe regjimit të tij. Vëzhguesit e Ligës Arabe ndodhen në Siri në përpjekje për të normalizuar situatën, por dhuna ka vazhduar me të njëjtën valë pavarësisht prezencës së tyre.

Një banor i Midanit u shpreh për “Reuters” se me dhjetëra ambulanca kanë mbërritur në vendngjarje dhe se shumë persona kanë dalë në kërkim të të afërmve të tyre.

Protestat,  35 viktima

Ndërkohë, të paktën 35 persona të tjerë janë vrarë po të premten nga forcat besnike ndaj presidentit Bashar al Assad, gjatë shtypjes së protestave popullore, në zona të ndryshme të vendit.

Lajmin e bën të ditur Komisioni i Revolucionit Sirian, një prej grupeve të të drejtave të njeriut që raporton përherë mbi viktimat që regjistrohen si pasojë e represionit.
 

Top Channel