SHBA, 200 mijë vende pune në dhjetor

06/01/2012 16:30

Ekonomia amerikane krijoi 200 mijë vende pune në dhjetor, duke shënuar muajin e gjashtë rresht rritje, tregojnë shifrat zyrtare.

Rritja ishte shumë më tepër nga sa pritej. Analistët kishin parashikuar një rritje prej rreth 150 mijë vendesh pune.

Kuota e papunësisë ra në 8.5 për qind, që është dhe niveli më i ulët që regjistrohet në tre vitet e fundit. Ndërkohë që në muajin nëntor, sipas Departamentit amerikan të Punës, shifra në fjalë ishte 8.7 për qind.

Vende të shumta pune u krijuan në sektorin e shitjeve me pakicë, manifakturë, transport, në atë të magazinimeve dhe shëndetësi.

Punësimi në sektorin privat u rrit me 212 mijë në dhjetor dhe me 1.9 milionë gjatë vitit që lamë pas. Ndërsa punësimi në institucionet qeveritare ndryshoi vetëm pak në dhjetor, por ishte nën 280 mijë gjatë gjithë vitit.

Niveli i papunësisë ka mbetur tejet i lartë në kuotën 9 për qind për vite të ndryshme, duke arritur pikun në 10.1 për qind në tetor të vitit 2009.

Megjithatë, dhjetori shënoi muajin e tretë të rënies së tij, edhe pse shifra e nëntorit u rishikua nga 8.6 në 8.7 për qind.

Ndërkohë, euro ra në nivelin më të ulët në 16 muaj kundrejt dollarit, pas raportimit më të mirë se parashikimi për vendet e punës, edhe pse tregjet amerikane u hapën me ritme të ngadalta.

Megjithatë, rënia e nivelit të papunësisë do të shihet si një shenjë e mirë për presidentin Obama për t’u rizgjedhur në zgjedhjet presidenciale që janë më vonë gjatë vitit.

Top Channel