Marina amerikane shpëton 13 iranianë

06/01/2012 00:00

Tensionet me Iranin nuk kanë penguar forcat e marinës amerikane që patrullojnë në Detin Arab, të shpëtojnë nga kthetrat e piratëve 13 shtetas iranianë.

Lajmi njoftohet nga mediat amerikane të cilat citojnë burime nga brenda Pentagonit. Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, kapiteni John Kirby tha për Reuters se flota amerikane në operacion arrestoi 15 piratë, që besohet se janë me kombësi somaleze. Ata, tha ai, po mbahen nën kontroll në aeroplanmbajtësen, USS John C. Stennis.

Kjo aeroplanmbajtëse është pjesë e Flotës së Pestë amerikane që përdor si bazë të saj portet e Bahreinit duke shfrytëzuar kalimin nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit, të cilën Irani ka kërcënuar për të bllokuar. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara deklaruan se pavarësisht kërcënimeve të Teheranit, do të vazhdojnë qarkullimin detar nëpërmjet kësaj ngushtice.

Irani përshëndet lirimin e marinarëve

Ministria e Jashtme iraniane ka komentuar me nota pozitive lirimin në Detin Arab të 13 marinarëve të marrë peng një muaj më parë nga piratët somalezë.

“E konsiderojmë aksionin e trupave amerikane, që shpëtuan jetët e marinarëve iranianë, si një gjest humanitar pozitiv dhe përshëndesim iniciativën”, ka deklaruar zëdhënësi Ramin Mehmanparast.

Reagimi i dikasterit kryesor të diplomacisë iraniane ka ardhur pasi mediat iraniane e kanë injoruar tërësisht lajmin për lirimin e marinarëve.

Agjencia zyrtare e lajmeve “Irna” ka raportuar vetëm se anija amerikane “mori përsipër përgjegjësinë” për lirimin e marinarëve, prej javësh peng të piratëve somalezë.

Lajmi për lirimin e marinarëve u njoftua të premten nga zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, kapiteni John Kirby, i cili tha për “Reuters” se flota amerikane në operacion arrestoi 15 piratë me kombësi somaleze. Ata, tha ai, po mbahen nën kontroll në aeroplanmbajtësen “USS John C. Stennis”.

 

Top Channel