Kina: SHBA nuk është e mirëpritur në Azi

06/01/2012 14:20

Media shtetërore kineze paralajmëroi Shtetet e Bashkuara që të mos kërkojë “shfaqje muskujsh” në Azi, një ditë pasi Presidenti Obama foli për strategjinë e re ushtarake, të përqendruar në këtë rajon.

Në një editorial, gjatë së premtes, Agjensia “Xinhua” shkruante se vendimi i Obamës për të rritur prezencën ushtarake në rajon cënon “stabilitetin dhe të ardhmen paqësore të kontinentit aziatik”. ”Militarizmi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të shndërrohet në një kërcënim serioz për paqen në botë”, shkruhej.

Ditën e enjte, në një fjalim të rrallë nga Pentagoni, Obama shpalli një buxhet më të ulët për shpenzimet ushtarake. Në fjalimin e tij, Presidenti u përqendrua në nevojën e pasjes së një ushtrie më fleksibël, por parashikoi që krizat potenciale të së ardhmes do të zhvendosen nga Lindja e Mesme në Azi.

”Pavarësisht shkurtimeve dhe kësaj strategjie të re, prezenca jonë do të vijë në rritje në rajonin aziatik dhe paqësor, pasi ky rajon është vendimtar për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara dhe të botës”, deklaroi Obama.

Sipas analistit të BBC-së për Azinë, Charles Scanlon, vendimi i amerikanëve nuk ka qenë një surprizë për kinezët, pasi kjo tendencë shihej prej kohësh. Megjithatë, Pekini nuk mund të lejonte që deklarata e Obamës të kalonte pa një reagim zyrtar.

Në vitet e fundit, shpenzimet ushtarake kineze janë rritur në mënyrë drastike, duke prekur rekordin e 120 miliardë dollarëve në 2010-n, edhe pse besohet se shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e lartë se ky pretendim zyrtar.

Top Channel