Irani kërcënon sërish

06/01/2012 00:00

Pavarësisht reagimit të Perëndimit se do të ndërhyjë edhe ushtarakisht nëse është e nevojshme për të mos lejuar bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, Irani ka lëshuar një tjetër kërcënim.

Këtë herë ka qenë admirali i Gardës Revolucionare, Ali Fadavi ai që ka njoftuar mbajtjen e një stërvitje ushtarake nga 21 janari deri në 19 shkurt në Gjirin Persik.

“Manovrat e reja ushtarake do t’i tregojnë gjithë botës së Irani ka nën kontroll në rrugë detare, ajrore dhe tokësore Ngushticën e Hormuzit, por jo vetëm, Irani ka nën kontroll të gjitha lëvizjet në rajon”, citohet nga mediat iraniane, admirali Fadavi.

Tensionet mes vendeve perëndimore dhe Republikës Islamike janë përshkallëzuar pas kërcënimit të parë të Teheranit për mbylljen e Hormuzit në rast të vendosjes së sanksioneve të reja kundër tij. Kjo deklaratë u pasua nga një kundër-deklaratë e Flotës së Pestë amerikane e cila ndodhet në Gjirin Persik me aeroplanmbajtëse dhe luftëanije të tjera. Zëdhënësi i kësaj flote paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë bllokim i Ngushticës së Hormuzit dhe për t’u siguruar njoftoi nisjen e një patrullimi të luftëanijeve amerikane.

Tjetër deklaratë e ashpër mbërriti së fundmi nga Britania e Madhe e cila tha se nuk do të toleronte Iranin në rast të bllokimit të Hormuzit, por do të ndërhynte ushtarakisht për ta ndalur atë.

Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike nëpërmjet së cilës kalon rreth 40 përqind e naftës që importohet nga vendet e Europës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Sipas analistëve ndërkombëtarë, bllokimi i saj do të conte në dyfishim të cmimit të karburanteve.

Ndërkohë, kërcënimi për bllokimin e Hormuzit do të conte në një kolaps energjitik Greqinë, rafineritë e së cilës furnizohen nga nafta iraniane, të cilën autoritetet greke e blejnë me 5 dollarë më lirë se sa cmimi në tregun ndërkombëtar.

Top Channel