Bin Laden, hetim rrjedhjes së informacioneve

06/01/2012 17:30

Pentagoni ka vendosur të nisë një hetim për të verifikuar akuzat sipas të cilave Shtëpia e Bardhë ka lejuar që Hollivudit t’i kalojnë informacione “Top Secret” mbi vdekjen e Osama bin Laden.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komisionit parlamentar për sigurinë e brendshme, republikani Peter King, i cili që në gusht i kishte drejtuar një seri pyetjesh CIA-s dhe Pentagonit lidhur me këtë cështje.

Kryeterroristi Osama bin Laden u vra në fillim të majit të vitit të kaluar nga një skuadër speciale Navy Seal, në rezidencën e tij në Abotabad të Pakistanit.

Ai thuhet se u qëllua me dy plumba në kokë, njëri prej të cilëve në sy, por foto të tij të vrarë nuk u treguan dhe trupi u varros në det nga një aeroplanmbajtëse amerikane.

Operacioni që coi në vdekjen e sheikut të terrorit po kthehet në një prodhim kinematografik nga regjisorja Kathryn Bigelow, e mirënjohur për filmin tjetër ushtarak “The Hurtlocker”.

Top Channel