Assad: Kjo nuk është një kryengritje

06/01/2012 00:00

Presidenti i Sirisë, Bashar Al-Asad, iu drejtua vendit duke vendosur theksin e fjalimit të rrallë televiziv tek vuajtja e popullit. Ai foli për “renë e zezë” të dhimbjes që ka pushtuar çdo cep të Sirisë, si dhe i cilësoi kundërshtarët e tij si “armiq të popullit dhe Zotit”.

Sipas tij, kryengritja kundër tij nuk ishte revolucion: “Kjo do të kërkonte mendimtarë si dhe të mbështetej në një ide. Cili është udhëheqësi i këtij revolucioni?” pyeti Asad.

Ky është fjalimi i parë i Bashar Al Asadit prej muajit qershor. Në një intervistë për televizionin rus, në muajin nëntor, ai tha se do të jetojë dhe vdesë në Siri. Prej kësaj kohe, kryengritësit kanë zgjeruar kontrollin në veri të Sirisë dhe kanë ngritur këshillin drejtues, tashmë i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Por, përpjekjet e opozitës për të fituar terren në qytetet e mëdha, përfshirë edhe Damaskun, janë ndeshur me qëndresën dhe bombardimet e ushtrisë. Të shtunën, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britaninë e Madhe, raportoi për luftime në Harasta, Daraja apo në periferi të Damaskut. Nga ana tjetër, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit kanë dështuar. I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Lakdar Brahimi, po përpiqet të çojë përpara planin e miratuar në Konferencën Ndërkombëtare të muajit qershor, ku parashikohej krijimi i një qeverie tranzicioni.

Megjithatë, ky plan nuk përcakton qartë rolin e Bashar Al Asadit. Opozita këmbëngul se presidenti sirian duhet të japë dorëheqjen që konflikti të përfundojë.

Javën e kaluar, gjatë takimit me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov, Brahimi tha se “zgjidhja që vjen nga negocimi është opsioni i vetëm”. Të premten, NATO zhvendosi raketa patriot në Turqi për të ndihmuar ushtrinë e këtij vendi t’i kundërpërgjigjet sulmeve nga Siria. Prej nisjes së konfliktit në mars të vitit 2011, të paktën 60 mijë persona kanë humbur jetën, siç vlerëson OKB.

Top Channel