SHBA do shkurtojnë trupat ushtarake

05/01/2012 09:25

Shtetet e Bashkuara do të shkurtojnë mijëra trupa ushtarake si pjesë e një plani për rishikimin e mbrojtjes, me qëllim për t’i bërë ballë shkurtimeve të buxhetit në dekadat e ardhshme.

Ndryshimet në fjalë, që do të publikohen më vonë gjatë së enjtes, ka të ngjarë që t’i japin fund politikës së vjetër të ruajtjes së forcave për të luftuar dy luftëra njëherësh.

Presidenti Barack Obama do të njoftojë planet bashkë me sekretarin e Mbrojtjes Leon Panetta në selinë e Pentagonit, që do të përballet me mbi 450 miliardë dollarë shkurtime në 10 vitet e ardhshme.

Ndërkohë, 500 miliardë dollarë të tjerë do të shkurtohen në vitin 2013, pasi komiteti kongresional dështoi në arritjen e kursimeve vitin e kaluar.

Pavarësisht kësaj, presidenti Obama, i cili ndodhet pranë zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, pritet të theksojë se buxheti ushtarak i Shteteve të Bashkuara po vazhdon të rritet, megjithëse me hapa më të ngadaltë.

Autoritetet amerikane janë përpjekur që masa e presidentit të duket si një masë e diskutuar, duke insistuar se cdo reduktim trupash do të bëhet në bazë të një plani strategjik të komandantëve ushtarakë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney e cilësoi planin e shkurtimeve si “kirurgjik”. Presidenti amerikan thuhet gjithashtu se është përfshirë ngushtë në procesin vendimmarrës të kësaj cështjeje.

Edhe në njoftimin e së enjtes nuk pritet që të jepen me saktësi shifrat apo të dhënat e shkurtimeve, por Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se plani në fjalë “do të udhëheqë përpara prioritetet e buxhetit dhe vendimet”.

Top Channel