Pranë falimentimit rafineria europiane

05/01/2012 21:10

Kriza e rafinerisë europiane “Petropulos Holdings” u thellua më shumë ditën e enjte, pasi huadhënësit vendosën që do të bllokojnë çdo kredi të re për shoqërinë.

Një javë më parë, një kërkesë për një hua prej një miliardë dollarësh ishte hedhur poshtë. “Petropulos” informoi nëpërmjet një komunikate se rafineria e saj kryesore në Eseks do të vazhdojë të punojë normalisht, edhe pse me kapacitet të reduktuar.

Në komunikatë shkruhej gjithashtu se do të nisin negociatat e menjëhershme me bankat, në mënyrë që të bëhet e mundur të sigurohet sërisht aksesi për huamarrje nga firma.

Ndërkohë, një rafineri e firmës në Belgjikë është mbyllur dhe një tjetër në Francë është në proces mbylljeje.

Ndonëse firma ka mohuar zërat se është duke rrezikuar falimentimin, ekspertët parashikojnë që “Petropulos Holdings”, aksionet e së cilës kanë pësuar një rënie prej 80% gjatë 2011, të shndërrohet në viktimën e radhës të krizës financiare që ka pushtuar Europën”.

Top Channel