Obama shkurton fondet për ushtrinë

05/01/2012 00:00

“Ushtria amerikane do të hyjë në dietë, por duke ruajtur superioritetin dhe duke u përqëndruar te Azia”. Presidenti amerikan Barak Obama foli për gazetarët në Pentagon, së bashku me sekretarin e Mbrojtjes, Leon Paneta.

“Ne do të përforcojmë praninë tonë në Azi dhe Paqësor, dhe reduktimi i buxhetit nuk do të bëhet në kurriz të këtij rajoni. Ne do të vazhdojmë të investojme për partnerët dhe aleancat tona, përfshirë NATO-n, që ka dëshmuar në kohë, dhe së fundmi në Libi, është një forcë e shumëfishtë. Ne do të mbetemi vigjilentë, vecanërisht në Lindjen e Mesme”, deklaroi Obama.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta nënvizoi aftësinë e ushtrisë amerikane për t’ju përgjigjur më shumë se një konflikti.

“Lloji i konfliktit sot, është se nëse perfshihesh duhet të shohësh se si e bën këtë, cfarë forcash do të përdorësh për t’i bërë ballë këtij armiku, cfarë është përfshirë ekzaktësisht. Dua të them se realiteti është se mund të përballesh me një luftë në Kore dhe në të njëjtën kohë me kërcënimet në ngushticën e Hormuzit. Ne kemi aftësinë me këtë forcë ushtarake, për t’i bërë ballë këtyre kërcënimeve, të jemi në gjendje t’i përballim dhe të jemi në gjendje të fitojmë. Kjo është ajo që vlen vërtet”, tha Paneta.

Presidenti amerikan, Barak Obama bëri publik planin për reduktimin e buxhetit ushtarak prej 450 miliardë dollarësh, në 10 vitet e ardhshme. Duke i paraprirë kritikave të kundërshtarëve republikanë, në vitin e zgjedhjeve presidenciale, Obama tha se buxheti i Mbrojtjes do të rritet me ritëm të ngadaltë.

 “Mendoj se është e rëndësishme për të gjithë amerikanët të kujtojmë se përgjatë 10 viteve, që prej 11 shtatorit, buxheti i Mbrojtjes u rrit me një ritëm të jashtëzakonshëm. Në 10 vitet e ardhshme, rritja e buxhetit të Mbrojtjes do të ngadalësohet, por fakti është se do të vazhdojë të rritet sepse ne kemi përgjegjësi botërore që kërkojnë lidershipin tonë. Buxheti i Mbrotjes do të vazhdojë të jetë më i madh sec ishte në fund të administratës së Bushit”, tha Obama.

Obama foli për heqjen dorë nga operacionet në shkallë të gjërë, si ai i sapombyllur në Irak dhe ai që vijon në Afganistan.

Për analistet rishikimi i strategjisë amerikane nxitet nga tre faktorë: presioni në rritje për buxhetin e mbrojtjes  në kohën e masave për shpëtimin e ekonomisë, së dyti angazhimi i trupave amerikane në Irak përfundoi dhe ky është momenti i duhur për të rivlerësuar situatën, si dhe ekziston një opinion i gjërë për të larguar vëmendjen nga Lindja e Mesme për t’u përqëndruar në Azi.

Top Channel