Irak, seri shpërthimesh, mbi 30 të vrarë

05/01/2012 10:15

Të paktën 30 persona kanë vdekur pas një seri shpërthimesh të regjistruara në lagjet shiite të Bagdadit.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria irakene e Mbrojtjes, sipas të cilës mbi 70 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimet, të ndodhura në lagjet Sadr Siti dhe Kadhimija.

Agjencia e lajmeve “AFP” deklron se një nga bombat ishte vendosur në një motocikletë dhe se në anë të rrugës ndodheshin disa aparate shpërthimi.

Sulmet vijnë në një moment kur tensionet sektare janë rritur, pas tërheqjes së trupave ushtarake amerikane në dhjetor të vitit të kaluar.

Rreth 12 deri në 15 persona u vranë kur dy makina-bombë shpërthyen në të njëjtën kohë në lagjen Kadhimija, rreth orës 6 të mëngjesit, me orën tonë.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” citon policinë irakene që thotë se 14 persona vdiqën në dy shpërthimet, ndërkohë që më herët 8 persona u vranë kur një motor-bombë shpërtheu në Sadr Siti, në një zonë ku shumë njerëz mblidhen për të kërkuar punë.

Ndërsa rreth 30 minuta më vonë, raporton më tej agjencia, një person vdiq pasi një bombë e vendosur anës rrugës shpërtheu pranë një dyqani caji.

“Ishin një grup punëtorësh që prisnin të punësoheshin për ndonjë punë. Dikush solli motorin e tij të vogël dhe e parkoi aty pranë. Pak minuta më vonë ai shpërtheu duke vrarë disa njerëz dhe plagosur disa të tjerë”, tha një oficer policie për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Top Channel