Hungari, inflancioni kap nivele rekord

05/01/2012 15:35

Monedha hungareze regjistroi të enjten një rekord të ri negativ në këmbimin me euron, ndërsa kriza ekonomike në vend vazhdon të thellohet dhe frika për mundësinë e kërkimit të një huaje madhore shpëtimi rritet.

Një euro u këmbye me 323,40 forinta gjatë ditës, vlerësimi më i ulët që ka patur ndaj monedhës së përbashkët që prej kuotimit të saj të parë në tregje, në vitin 1999.

Ndërkohë, me mijëra hungarezë kanë pushtuar për të disatën ditë me radhë rrugët e Budapestit, në protesta kundër kushtetutës së re.


Situata e rëndë ekonomike ka detyruar qeverinë e Kryeministrit Orban që të pranojë domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje sa më të shpejtë me partnerët ndërkombëtare.

Hungaria ka kërkuar një hua prej 15-20 miliardë eurosh prej Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, por bisedimet janë pezulluar deri në qartësimin e statusit të Bankës Qëndore të Hungarisë, e cila duket se humbet pavarësinë e saj me ndryshimet e kryera në kushtetutën e re.

Sipas demonstruesve që kanë pushtuar rrugët e kryeqytetit, nëse kushtetuta e re do të hyjë në fuqi, atëherë ajo do të rikthejë demokracinë në nivelin më të ulët në vend që prej vitit 1989.

Zhvlerësimi i vazhdueshëm i forintit ndaj euros është edhe më shqetësues duke patur parasysh që vetë monedha e përbashkët është gjithashtu në rënie të lirë.

Euro preku ditën e enjte nivelin e tij më të ulët ndaj dollarit në 16 muajt e fundit, ndërsa frika për shëndetin e bankave europiane vazhdon.

Monedha e përbashkët u këmbye gjatë ditës me 1,28 dollarë, ndërsa preku nivelin më të ulët në një vit të kursit të këmbimit edhe ndaj jenit japonez.

Tregjet u çekuilibruan të enjten pasi huamarrja e Francës u rrit papritmas, ndërsa Ministri Spanjoll i Financave pranoi se bankat e vendit mund të jenë të detyruar të kërkojnë kredi të reja në tregje.

Në këto kushte, pavarësisht nevojës për kreditim të shpejtë, ekspertët parashikojnë që për Hungarinë mund të jetë veçanërisht e vështirë që të gjejë likuiditete nga BE apo FMN.

Top Channel