Filipine, 25 të vdekur nga rrëshqitjet e tokës

05/01/2012 00:00

Të paktën 25 persona kanë humbur jetën dhe mbi 150 të tjerë konsiderohen
të humbur pasi një rrëshqitje masive toke përfshiu një fshat në jug të
Filipineve.

Autoritetet lokale bëjnë të ditur se rrëshqitjet e tokës ndodhën në fshatin Pantukan, në provincën e Luginës së Kompostelës, në ishullin e Mindanaos.

Shefi i mbrojtjes civile Benito Ramos tha për BBC se ato u shkaktuan nga shirat e vazhdueshme të dy ditëve të fundit. Një grup i posacëm po zhvillon hetime për zbulimin e saktë të numrit të viktimave.

“Një njësi ushtarake ndodhet në zonë, por aktualisht ata janë duke gërmuar me duart e tyre”, deklaroi zoti Ramos.

Ai nënvizoi se nga qeveria lokale është bërë një kërkesë për pajisje më të rënda, me qëllim përshpejtimin e operacioneve të kërkimit.

Në këto operacione janë angazhuar edhe minatorët. Një prej tyre tha se i doli gjumi nga gurët që po binin mbi catitë e shtëpive.

“Ishte errësirë, por ne vendosëm të lëviznim në terrene më të sigurta. Disa orë më vonë, ne pamë tonelata dheu që kishin mbuluar shtëpi të tëra”, tha Saul Pinggoy për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Kohët e fundit ishujt Filipine janë goditur rëndë nga dukuritë natyrore, kryesisht tufanë dhe shira të dendura që kanë përmbytur një sipërfaqe të madhe të vendit.

Top Channel