Mubarak rrezikon dënimin me vdekje

04/01/2012 21:15

Prokurorët në cështjen ndaj Hosni Mubarak deklaruan të mërkurën se kanë arritur në përfundimin se presidenti i rrëzuar i Egjiptit, shefi i tij i sigurimit dhe gjashtë oficerë të lartë policie kanë qenë urdhëruesit e vrasjes së mbi 800 protestuesve gjatë protestave popullore të vitit të kaluar.

Mubarak dhe shtatë ish-bashkëpunëtorët e tij po përballen me akuzat e bashkëpunimit në vrasje dhe mund të ndëshkohen me dënimin me vdekje nëse shpallen fajtorë.

Seanca gjyqësore e së mërkurës përkoi me ditën e dytë të votimit të raundit të tretë dhe final të zgjedhjeve parlamentare që filluan më 28 nëntor.

Edhe përpara raundit përfundimtar, islamikët e udhëhequr nga Vllazëria Myslimane, grupi më i madh politik në Egjipt, siguroi shumicën në legjislaturën e re.

Gjasat janë që ata të përforcojnë pozitën e tyre në këtë raund, duke qenë se shumica e nëntë provincave ku po zhvillohen votimet janë tradicionalisht bastione islamike.

Zgjedhjet, më të ndershmet dhe më të lirat që zhvillohen në dekada, kanë pasur një pjesëmarrje masive dhe rezultatet finale të tyre pritet të shpallen më 13 janar.

Autoritetet ushtarake që kanë marrë pushtetin pas rrëzimit të Mubarak më 11 shkurt, deklarojnë se zgjedhjet presidenciale do të mbahen para fundit të qershorit, por ende nuk kanë dhënë një datë të saktë se kur do t’ia kalojnë pushtetin administratës civile.

Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë folur vazhdimisht për rritje të simptomave të përafrimit të interesave mes Vllazërisë Myslimane dhe gjeneralëve në pushtet.

Për këtë arsye, ata druhen se marrëveshja e dy palëve mund të cojë në bllokimin e reformave për një demokraci më të mirë tek e cila ata shpresonin pas rënies së Mubarak.

Top Channel