Twiter “vret” Fidel Kastron

03/01/2012 23:05

Tuiteri mund të jetë shumë i përdorur dhe popullor, pasi jep informacione në kohë reale nga e gjithë bota, por është edhe një makineri e rrezikshme për të përhapur mesazhe të rreme.

Fidel Kastro, u bë papritur mbrëmjen e të hënës një prej emrave më të lexuar në Tuiter, ndërsa nisi të qarkullonte lajmi për vdekjen e liderit kuban.

Disa përdorues të Tuiterit filluan madje të shpërndanin edhe fotografi të rremë që tregonin trupin e Kastros në një arkivol.

Rrjeti u cmend, komentet nuk ndaleshin. Sidoqoftë ndër më të klikuarit ishte mesazhi i një blogeri kubanez që shkruante: “Nuk ka konfirmime, por edhe nëse lajmi do të ishte i vërtetë, ne kubanët, do të ishim të fundit që do ta merrnim vesh”.

Nuk është në fakt e para herë që Tuiteri “vret” Fidel Kastron. Në shtator ishin përhapur zëra të ngjashëm, por që më pas u përgënjeshtruan zyrtarisht. Duket pra se rrjeti e do të vdekur liderin kuban, por Fidel Kastro, një kundërshtar i vendosur i lirisë së informacionit, duket se për momentin nuk ka ndër mend t’i japë të drejtë ueb-it.

Top Channel