Irani, Franca: Të ashpërsohen sanksionet

03/01/2012 10:15

Franca është e bindur se Irani po zhvillon armë bërthamore dhe se duhet të përballet me sanksione më të rrepta, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Alain Juppe.

Ai u ka bërë thirrje vendeve të BE-së që të ndjekin shembullin e SHBA që ngrinë asetet iraniane në bankën qendrore dhe vendosën embargo ndaj eksportit të naftës.

Nga ana e tij, Irani ka deklaruar se nuk i trembet kërcënimit të sanksioneve. Të martën, ai mohoi zërat se vlera e ulët e valutës së tij kishte lidhje me masat ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara.

Teherani ka mohuar gjithashtu akuzat e Perëndimit se po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore, duke thënë se programi i tij është paqësor dhe se teknologjia bërthamore i duhet për të gjeneruar energji elektrike.

Në nëntor, SHBA, Kanadaja dhe Britania njoftuan sanksione të reja ndaj Iranit, menjëherë pas raportit të ANEB-së që thoshte se Irani kishte kryer teste të lidhura me zhvillimin e një aparati atomik.

Por Irani nuk ka raportuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkak se Rusia dhe Kina kanë kundërshtuar lëvizjen në fjalë.

“Irani po vazhdon me zhvillimin e armëve të tij bërthamore, për këtë s’kam asnjë dyshim”, deklaroi zoti Juppe për televizionin francez I-Tele.

“Raporti i fundit i ANEB-së është mëse i qartë në këtë pikë”, shtoi shefi i diplomacisë franceze, duke theksuar se sanksionet ndaj Iranit duhen përforcuar më tej.

Por, sikur të mos t’ia dinte për kërcënimet e Perëndimit, Irani kreu këto ditë me sukses testin për lëshimin e një rakete balistike me rreze të gjatë veprimi gjatë stërvitjeve detare që po kryen në Gjirin Persik.

Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, duke komentuar ngjarjen tha se, testimi i raketave të Iranit dëshmon se sanksionet ndërkombëtare po funksionojnë.

Top Channel