Hungari, protesta ndaj Kushtetutës së re

03/01/2012 08:05

Dhjetëra mijëra persona kanë protestuar në Budapest ndaj kushtetutës së re e të diskutueshme, një ditë pasi ajo hyri në fuqi.

Partia në pushtet, Fidesz coi ligjin në parlament në muajin prill pasi fitoi dy të tretat në zgjedhjet parlamentare.

Kundërshtarët thonë se ajo kërcënon demokracinë duke hequr “checks & balances” të vendosura në vitin 1989, kur regjimi komunist u rrëzua. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kishin kërkuar gjithashtu që ligji të tërhiqej.

Polemikat kanë sjellë dyshime mbi bisedimet për marrëveshjen e re financiare me BE-në dhe FMN-në, që shihet si jetike për besueshmërinë e tregut hungarez në radhët e Unionit.

Shumë parti opozitare të qendrës së majtë u janë bashkuar protestave të mbajtura në prag të një evenimenti gala të organizuar nga qeveria për të celebruar pikërisht kushtetutën e re.

Protestuesit mbanin parulla që denonconin kryeministrin e qendrës së djathtë Viktor Orban dhe postera që denonconin “diktatin” e tij në momentin kur politikanët mbërritën për festën.

“Viktor Orban dhe shërbëtorët e tij e kthyen Hungarinë nga një vend premtues në gropën e zezë të Evropës”, deklaroi deputeti socialist Tibor Szanyi, i cituar nga “AFP”.

Kryeministri Orban, dikur kundërshtar i ashpër i regjimit komunist, duket se po e bën Hungarinë një vend ku medias i mbyllet goja dhe deputetët arrestohen, duke u kthyer në një shqetësim për BE-në.

Rreth një javë më parë, megjithë kritikat ndërkombëtare, Parlamenti hungarez votoi me dy të tretat e partisë Fidesz një ligj të ri për Bankën Qendrore.

Top Channel