2011-ta, viti më i zymtë

03/01/2012 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave
konfirmojnë vitin 2011 si më të zymtin  për ekonominë shqiptare që pas
vitit 1997.

Sipas INSTAT në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar rritja ekonomike, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ka qenë më e vogël se 2 përqind. Kjo është shifra më e ulët që nga koha kur në Shqipëri filloi të publikohej rritja ekonomike me bazë 3 mujore.

Madje në gjysmën e parë të vitit të kaluar ekonomia është rritur më pak edhe se sa e njëjta periudhë e dy viteve paraardhëse 2009-2010, kur kriza globale ishte në kulmin e saj. Sipas INSTAT-it, një nga shkaqet se pse ekonomia është ngadalësuar ka të bëjë me industrinë.

Gjatë dy viteve paraardhëse, prodhimi në sektorin e industrisë është rritur me ritme të larta duke e shndërruar atë në një nga sektorët udhëheqës të rritjes ekonomike.

Por në tremujorin e dytë të 2011 prodhimi industrial jo vetëm që nuk u rrit por ra me rreth 8.5 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për vitin 2011 qeveria vlerësonte zyrtarisht një rritje ekonomike prej 3.9 përqind por  me shifrat e fundit të INSTAT, kjo tashmë duket  e pamundur, pasi ekonomia, jo vetëm që nuk po rimëkëmbet, por përkundrazi po vijon të ngadalësojë ritmet.

Nëse edhe shifrat e 3-mujorit të tretë të vitit 2011 do të konfirmojnë tendencën e 2 tremujorëve paraardhës, gjasat janë që rritja ekonomike të rezultojë shumë larg vlerësimeve zyrtare të qeverisë duke rikthyer sërish debatin mbi qëndrueshmërinë e financave publike.

Nëse rritja ekonomike do të jetë më pak nga sa vlerëson qeveria, atëherë edhe borxhi publik i vendit është automatikisht më i lartë se sa shifra zyrtare duke rrezikuar të kapërcejë kështu kufirin ligjor prej 60 përqind.

Top Channel