OKB, trupa shtesë në Sudanin e Jugut

31/12/2011 11:20

Organizata e Kombeve të Bashkuara do të dërgojë përforcime trupash në qytetin e Piborit, në Sudanin e Jugut, pas përshkallëzimit të frikshëm të sulmeve ndëretnike.

Disa dhjetëra mijëra shtetas të fisit murle u larguan nga qyteti të premten në mëngjes, duke patur frikën e dhunës prej grupit etnik më të madh në zonë, të quajtur Lou Nuer.

Përplasjet ndëretnike në shtetin e Jongleit, fillimisht të motivuara nga rrëmbimi i bagëtive, kanë shkaktuar mbi 1 mijë viktima në muajt e fundit, shumica e të cilëve gra edhe fëmijë.

OKB ka një batalion ushtarësh në Pibor, por për shkak të numrit të vogël, ai ka qenë gjerësisht i paefektshëm në pengmarrjen që të dy grupet etnike i kanë bërë fëmijëve të grupit tjetër.

Sipas korrespondentit të BBC në shtetin e Sudanit të Jugut, i formuar në 2011-n pas një referendimi që solli ndarjen nga Sudani, një ushtri prej 6 mijë burrash të armatosur të Lou Nuer është në marshim në zona të ndryshme të shtetit të Jongleit, duke plaçkitur dhe djegur fshatra të tërë të grupit tjetër etnik.

Më parë gjatë javës, të gjithë qytetit të Lukangolit iu vu flaka nga luftëtarët e Lou Nuerit dhe u shkrumbua deri në themele. Më shumë se 20 mijë civilë arrirtën të largoheshin në kohë, por me dhjetëra mbetën të vrarë nga të dyja palët.

Top Channel