Siri, dyshime për kreun e ligës

30/12/2011 00:10

Pavarësisht misionit të vëzhguesve të Ligës Arabe, në Siri ende numërohen të vrarë. Aktivistët thonë se rreth 40 persona u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë, kryesisht në zonat e vizituar nga vëzhguesit, përfshirë edhe periferinë e Damaskut.

Pasi nisën të martën vizitën në qytetin e Homsit, ata qëndruan në Idlib, në veri të vendit, Deraa në jug, Hama dhe Damask.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër thanë se katër persona u vranë jashtë një xhamie në Duma, në periferi të kryeqytetit. Forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj dhjetëra mijëra protestuesve jashtë xhamisë së madhe.

Të tjerë të vrarë janë rregjistruar në Arbin dhe Kisuah, në periferi të Damaskut si dhe në Idlib dhe Hama.

Për korrespondentin e BBC-së në  Liban, në vend që dhuna të nisë të shuhet, duket se prania e vëzhguesve po e shton. Aktivistët apeluan, përmes rrjeteve sociale, për një protestë masive, të premten.

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se mbi 5000 civilë kanë vdekur në 10 muajt e protestës.

Plani i paqes i Ligës Arabe bën thirrje për ndalimin e dhunës, zbrapsjen e të gjithë forcave të armatosura dhe lirimin e të gjithë të burgosurve.
 
Megjithatë dy ditë, pas monotirimit, janë ngritur shumë pikëpyetje për kreun e misionit, sudanezin Mustafa Al Dabi, për të cilin Amnesti International, thotë se është përgjegjës për tortura dhe zhdukje të personave në vitet 1990 në Sudan.

Top Channel