Vëzhguesit arabë në Siri

29/12/2011 00:00

Monitoruesit e Ligës Arabe përgatiten të vizitojnë tre qytete të tjera të trazuara siriane, për të verifikuar në terren zbatimin e planit të paqes.

Të ndarë në ekipe prej 10 vetësh, vëzhguesit do të udhëtojnë drejt Hamas, Idlibit dhe Derasë, ku protestuesit anti-qeveritarë vazhdojnë përplasjet me forcat e sigurisë.

Të dërguarit e Ligës Arabe ishin më herët në qytetin e Homsit, vatër e protestave kundër regjimit të Bashar al Asad.

Por drejtuesi i ekipit të dërguar atje shkaktoi polemika të medha me deklaratat se gjatë ndalesës në Homs nuk kishin parë asgjë tmerruese.

Pak më vonë, gjenerali sudanez Mustafa al-Dabi i rishikoi pohimet e tij duke kërkuar më shumë kohë për të bërë një vlerësim sa më real të situatës.

Sic e dëshmon dhe një video amatore, gjatë vizitës në bastionin e protestave, monitoruesit janë rrethuar nga demonstrues anti-qeveritarë që kërkonin mbrojtje dhe me skena të ngjashme, pritet të përballen edhe në tre qytetet e tjera.

Tubuesit në Hama kanë dy ditë që përpiqen të organizojnë demonstrata masive në qendër të qytetit, por janë shpërndarë nga forcat e sigurisë, të cilat kanë përdorur gaz lotësjellës dhe plumba të vërtetë.

Damasku la të lirë një ditë më parë 775 vetë të ndaluar gjatë protestave ndërsa insiston të tregojë se duart e tij nuk janë të lara me gjak. Por akvitistët vazhdojnë të mbeten skeptikë ndaj iniciativave të regjimit.

Ndërsa kritikët nga jashtë vendit kanë akuzuar qeverinë siriane me në krye presidentin Bashar al Assad se po mashtrojnë vëzhguesit dhe nuk u japin atyre liri të mjaftueshme lëvizjeje për të kontrolluar më mirë situatën.

Gjithashtu, videoja amatore e bërë publike nga rrjeti CNN tregon një prej vëzhguesve duke ecur në një xhami në qytetin e Homsit, ku i është treguar trupi i një “martiri” të vogël, një nga ata mijëra njerëz të vrarë në Siri gjatë nëntë muajve të fundit.

Top Channel