SHBA: S’e tolerojmë bllokimin e ngushticës

28/12/2011 00:00

Tensionet sa vijnë e shtohen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pas deklaratës se zv/presidentit Mohamed Reza Rahimi për të mbyllur ngushticën e Hormuzit, një rrugë e rëndësishme për transportin e naftës.

Zëdhënësja e Flotës së Pestë, Rebeka Rebaric tha se “Cilido që kërcënon të ndërpresë lirinë e lundrimit në një ngushticë ndërkombëtare është i përjashtuar nga bashkësia e kombeve. Cdo lloj pezullimi, nuk do të jetë aspak i tolerueshëm”.

Më herët Departamenti Amerikan i Shtetit ishte përpjekur të minimizonte kërcënimin, duke e cilësuar një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga cështjet kryesore të Iranit, që janë në mospërputhje me detyrimet ndërkombëtare.

”Çdo vend që kërcënon të dhunojë lirinë e lëvizjes së lirë në një zonë me interes ndërkombëtar është i përjashtuar nga bashkësia e madhe e kombeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të bëjnë sehir nëse do të hidhen hapa për të shndërruar kërcënime të tilla në realitet”, tha një zëdhënës.

Vendet perëndimore hartuan sanksione të reja kunder Teheranit, pas raportit të Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, se Irani po kryen testime për të zhvilluar armën bërthamore”. Gjithashtu janë parashikuar edhe masa të tjera, për të vënë në shënjestër sektorin e naftës dhe atë financiar dhe këto revoltuan jo pak autoritetet iraniane.

Kreu i Flotës Detare Iraniane, Admirali Abibollah Sajari e quajti një mision aspak të vështirë mbylljen e ngushticës, madje ai iu referua një shprehjeje iraniane, “më e lehtë se të pish një gotë ujë”.

Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin dhe vendet prodhuese të naftës si Bahrein, Kuvajt, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara- me Oqeanin Indian. Rreth 40 % e naftës së botës përshkon këtë ngushticë.

Shtetet e Bashkuara mbajnë një prani detare aty për të garantuar funksionimin normal të transportit të naftës.


Irani: Bllokojmë rrugëkalimin e naftës

Më parë gjatë së mërkurës, Irani deklaroi se mund të mbyllë një rrugë kryesore të kalimit të naftës në perëndim, nëse ndaj vendit do të vendosen sanksione të mëtejshme për zhvillimin e programit të tij bërthamor.

Zëvendëspresidenti Mohammad Reza Rahimi paralajmëroi të mërkurën se “asnjë pikë nafte” nuk do të kalojë në Gjirin e Hormuzit nëse embargo do të forcohet.

Admirali dhe komanduesi i të gjitha forcave detare, Habibollah Sayari, deklaroi më pas se një veprim i tillë ushtarak nuk do të ishte aspak i vështirë nga forcat ushtarake iraniane. “Për forcat tona detare, një veprim i tillë do të ishte po aq i thjeshtë sa edhe pirja e një gote uji. Për momentin, nuk e kemi parë të arsyeshme që të ndërmarrim një veprim të tillë që do të godiste rëndë ekonominë botërore, por nëse vendi ynë do të izolohet, do të jetë i detyruar ta bëjë këtë”, tha ai.

Sipas Shteteve të Bashkuara, Irani është duke u përpjekur të ndërtojë armë bërthamore. Vetë Teherani e pranon që po zhvillon energjinë bërthamore, por thekson se diçka të tillë e bën vetëm për përdorim civil.

Vendet perëndimore paralajmëruan gjatë dhjetorit për një seri të re masash ndaj Iranit, pas një raporti shqetësues të Organizatës së Energjisë Bërthamore, strukturë e OKB-së.

Top Channel