Itali, përcillet Giorgio Bocca

28/12/2011 00:07

U zhvillua sot në Milano funerali i gazetarit Giorgio Bocca, një prej eksponentëve më të shquar të gazetarisë italiane, ai që ka rrëfyer me penën e tij të mprehtë dhe aspak servile 50 vjetët e fundit të Italisë.

Një turmë e madhe mori pjesë në meshën funebër përpara se trupi të çohej në Piemonte, në vendlindje. Vdekja e tij bashkoi si rrallëherë në të njëjtën kishë gazetarë dhe veteranë, politikanë dhe punëtorë, fshatarë dhe gjykatës.

Giorgio Bocca vdiq në moshën 91 vjeçare, u shua në ditën e Krishtlindjeve, kur redaksitë e gezetave ishin të mbyllura, një ironi e vërtetë e fatit për një njeri si ai.

Kishte punuar në gazetat më të mëdha, duke sjellë në shkrimet e tij kërkimin e të vërtetës, analizën e thellë por edhe polemika, që shpesh ishin mjaft të ashpra.

”Të gjithë ata që merren me gazetari e bëjnë me shpresën që të thonë të vërtetën: edhe pse është e vështirë, i lus dhe i nxis që të vazhdojnë në këtë rrugë”. Ishte ky mësimi që Giorgio Bocca i jepte punonjësve të mediave, një testament ndershmërie profesionale e personale.

Gazetari i madh, që konsiderohej si partizan e fjalës, edhe për të kaluarën e tij në radhët e rezistencës antifashiste, u shua pasi mbaroi librin e tij të fundit dhe pasi kishte aprovuar madje dhe kopertinën.

Top Channel