Aksidenti hekurudhor në Kinë, përfundimi i hetimeve

28/12/2011 20:00

Aksidenti i një treni super të shpejtë në Kinë, në muajit korrik, u shkaktua nga një defekt në projektim, ishte përfundimi i një hetimi të detajuar të autoriteteve.

40 persona mbetën të vrarë dhe mbi 200 u plagosën, në aksidentin e ndodhur në afërsi të Wenzhous. “Gabimet dhe neglizhenca e 54 zyrtarëve shkaktoi katastrofën”, shkruhej në raportin e shumëpritur.

Aksidenti vonoi projektet e trenave super të shpejtë, duke detyruar autoritetet që të vendosnin një standart më të lartë sigurie për prodhuesit.

Pas publikimit të rezultateve të hetimit, kabineti partiak në Kinë kritikoi ashpër Ministrin e Hekurudhave për standaret e ulta të sigurisë dhe për paaftësinë e drejtuesve të projektit.

Aksidenti ndodhi kur treni super i shpejtë mbeti pa energji pasi një rrufe goditi linjën që ushqente trenat. Një tren i dytë, i paprekur nga ndërprerja e goditi atë disa minuta më vonë, pasi nuk u lajmërua që rruga hekurudhore ishte e zënë.

Midis zyrtarëve që ndajnë fajin më të rëndë është edhe ish-Ministri i Hekurudhave, Liu Zhijun, i shkarkuar përpara aksidentit pas një skandali korrupsioni. Pritet që procedime penale të nisin ndaj disa prej përgjegjësve kryesorë të tragjedisë.

Kina parashikon të shpenzojë 63 miliardë dollarë në infrastrukturë për vitin e ardhshëm, çka shënon një reduktim në krahasim me shpenzimet e 2011-s.

Top Channel