Siri, vëzhguesit në Homs, protestat vijojnë

27/12/2011 00:00

Vëzhguesit e Ligës Arabe vizituan qytetin e Homsit, i njohur ndryshe si “zemra e revoltës” ku sërish dhjetëra mijëra persona dolën në protestë. Misioni i tyre është t’i jepet fund shtypjes së dhunshme të protestave nga qeveria.

Banorët e Homsit rrethuan vëzhguesit duke i kërkuar atyre, t’i mbronin. “Ne duam mbrojtje ndërkombëtare? Ku është bota? – thërrisnin ata.
 
Shumë prej tyre ishin të revoltuar dhe të gatshëm për t’ua dëshmuar pellgjet e gjakut dhe shenjat e plumbave në ndërtesa. Banorët u kërkuan të hyjnë në Baba Amer për të parë me sytë e tyre viktimat.

Sic raportohet, tanket u tërhoqen, sipas aktivistëve, po jo per t’u kthyer prapa por për të mos rënë në sy. Kreu i misionit, sudanezi Mustafa Dabi i tha agjensisë Reuters, se të gjitha palët ishin bashkëpunuese. “Po kthehem në Damask shpjegoi ai, do të vij sërish në Homs të mërkurën. Ndërsa ekipi do të qëndrojë në qytet”.

Zëdhënësi i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Abdul Omar tha se misioni prej 10 vëzhguesish në Homs nuk është i mjaftueshëm. Sipas tij dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugë në Homs por vëzhguesit nuk shkuan dot atje. Ai i bëri thirrje Ligës Arabe për ta ngritur cështjen e Sirisë në Këshillin e Sigurimit, për të arritur në një rezolutë kuptimplotë kundër qeverisë.

OKB tha se mbi 5000 persona kanë humbur jetën në Siri, në protestat e organizuara kundër Presidentit, Bashar Al Asad.

Top Channel