Popullsia mund të ulet më tej

27/12/2011 08:05

Popullsia në Shqipëri rrezikon të bjerë më tej gjatë dekadës së ardhshme, si pasojë e kombinimit të mungesës së vendeve të punës për moshat e reja dhe lehtësisë së emigrimit drejt vendeve të zhvilluara.

Sipas të dhënave demografike të Institutit të Statistikave, të cilave u referohet gazeta “Shqip”, pema e popullatës tregon se numri i shqiptarëve që do të dalin në tregun e punës do të jetë disa dhjetëra mijëra më shumë se sa numri i shqiptarëve që dalin nga tregu i punës, pasi mbushin moshën për pension dhe se kjo situatë mund të zgjasë edhe për së paku një dekadë.

Dhe duke qenë se në Shqipëri nuk krijohen vende pune të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e të rinjve për punë, emigrimi ka gjasa të vijojë, duke lënë pas një popullatë më të vogël e më të moshuar.

INSTAT tregon se për vitin 2009, shqiptarët mes moshës 15-19 vjeç janë 301 mijë vetë. Gjatë katër viteve të ardhshme këta shqiptarë do të mbushin moshën 20 vjeç dhe do të dalin në tregun e punës me një ritëm mesatar prej 75 mijë vetash në vit.

Në krahun tjetër të pemës së popullatës, shqiptarët mes moshës 60 dhe 64 vjeç dhe që gjatë katër viteve të ardhshme do të dalin në pension, janë gjithsej 113 mijë vetë dhe kjo do të thotë se mesatarisht çdo vit do të dalin nga tregu i punës 28 mijë vetë.

Diferenca mes atyre që hyjnë në tregun e punës me ata që dalin, afërsisht 47 mijë vetë çdo vit, ka pak gjasa që të gjejnë vend pune në ekonominë shqiptare, veçanërisht përballë faktit që rritja ekonomike gjatë viteve të ardhshme do të jetë e dobët.

Rrjedhimisht, për dhjetëra mijëra shqiptarë, emigrimi drejt vendeve të pasura të Europës Perëndimore do të jetë e vetmja zgjidhje e disponueshme.

Ndërkohë, numri i lindjeve ka rënë aq shumë sa emigrimi do të shkaktojë rënie të mëtejshme të popullatës banuese në Shqipëri.

Edhe në periudhën mes viteve 2015 dhe 2019, situata nuk pritet të përmirësohet. Numri i shqiptarëve që sot janë mes 10 dhe 14 vjeç, është aktualisht 272 mijë vetë, gjë që do të thotë se në tregun e punës mes viteve 2015 dhe 2019, do të hyjnë mesatarisht 68 mijë vetë në vit.

Shqiptarët mes moshës 55 dhe 59 vjeç, të cilët do të dalin në pension pas katër vitesh, numërohen aktualisht 147 mijë vetë. Numri i atyre që dalin nga tregu i punës mund të jetë rreth 37 mijë vetë në vit. Diferenca mes atyre që hyjnë në tregun e punës dhe atyre që dalin, do të ulet në rreth 30 mijë vetë.  

Shqiptarët sipas gjeneratave

Në vitin 1990 lindën 82 mijë shqiptarë, të cilët në vitin 2010 mbushën 20 vjeç dhe rrjedhimisht hynë në tregun e punës. Ndërkohë, shqiptarët që mbushën moshën e pensionit, kanë lindur në vitin 1945. Në atë kohë, më pak se 30 mijë shqiptarë lindnin çdo vit dhe një në dhjetë vdiste para moshës 1 vjeç.

Numri i të lindurve në periudhën 1945-1950 reflekton numrin e shqiptarëve që do të dalin në pension gjatë viteve të ardhshme, me përjashtim të asaj pjese që emigruan gjatë 20 viteve të fundit.

Lindjet në vendin tonë ranë gjatë viteve ‘90 krahasimisht me rritjen e numrit të emigrantëve. Në vitin 1991 lindën 77 mijë shqiptarë, ndërsa në 1992-shin, lindjet qenë 75 mijë. Në vitin 2009 lindën vetëm 29 mijë shqiptarë, por këtu nuk përfshihen fëmijët e emigrantëve që janë regjistruar jashtë vendit.

Të dhënat për vitin 2010 nuk janë të disponueshme për shkak se disa zyra të gjendjeve civile nëpër rrethe kanë më shumë se një vit që nuk kryejnë raportime.

Në shumë të dhëna të tërthorta, numri i lindjeve varet nga gjendja e ekonomisë dhe e sigurisë për jetën. Kështu, në vitin 1994, kur shqiptarët kishin entuziazmin e përmirësimit të kushteve të jetesës dhe integrimit të shpejtë në Bashkimin Europian, lindjet shënuan rritje në krahasim me një vit më parë, ndërsa në vitin 1997 ranë me mbi 10 për qind.  

Më pak se 2.8 milionë

Të dhënat e piramidës së popullatës tregojnë se gjatë dekadës së ardhshme, Shqipëria rrezikon të “prodhojë” sërish disa dhjetëra mijëra emigrantë çdo vit, por numri i emigrantëve të rinj do të vijë gradualisht në pakësim, për shkak se brezat e rinj të shqiptarëve që hyjnë në moshë madhore, do të jenë më të paktë në numër se sa paraardhësit.

Ndërkohë, në Shqipëri rrezikojnë të mbeten vetëm të moshuarit dhe të paaftët për punë. Emigrimi në dekadën e parë pas rënies së komunizmit ishte veçanërisht masiv, i dukshëm në sytë e publikut të gjerë dhe i dhimbshëm.

Në dekadën e dytë, emigrimi qe sërish masiv, ndonëse jo aq shumë sa në dekadën e parë, por ndërkohë, shoqëria shqiptare nuk arriti ta dallojë.

Largimi i dhjetëra mijërave shqiptarëve çdo vit nuk u pa kurrë si ndonjë problem në më shumë se dhjetë vjet deri sa përmasat e emigrimit u vunë në dukje nga censusi i tetorit 2011, të dhëna që habitën shumë vetë, por që ishin në fakt lehtësisht të parashikueshme.  

Top Channel