Iran, nis gjyqi ndaj “spiunit” të CIA-s

27/12/2011 18:00

Gjyqi ndaj një agjenti të dyshuar të CIA-s nisi ditën e martë në Iran.

Lajmin e raportuan mediat vendase, të cilat bënë me dije se në seancën e parë, prokurorët argumentuan se Amir Mirzai Hekmati ka pranuar fajësinë në një intervistë me një televizion, e transmetuar më parë gjatë dhjetorit.

I paraqitur në një gjendje të hutuar, i akuzuari la të nënkuptohej në intervistën në fjalë se kishte tentuar të infiltrohej në Shërbimet Sekrete Iraniane.

Avokati mbrojtës i 28-vjeçarit i kundërshtoi këto pohime dhe këmbënguli në pafajësinë e klientit të tij. Mbi Hekmati rëndon akuza “bashkëpunëtor i një qeverie armike dhe spiunazh në dëm të interesave kombëtare”.

Nëse do të provohet se ai i ka dhënë informacione të rezervuara CIA-s, atëherë rrezikon dënimin me vdekje.

I pyetur nga gjykata, i riu pranoi lidhjet me spiunazhin amerikan, por hodhi poshtë akuzën se kishte shërbyer në dëm të interesave të shtetit të tij. “Është e vërtetë që jam kontaktuar prej CIA-s. Ata kërkonin nga unë që të infiltrohesha brenda Shërbimeve Sekrete Iraniane dhe të shërbeja si një burim informacioni, por nuk kam patur kurrë si qëllim që ta bëj diçka të tillë”, tha i akuzuari.

Sipas akuzës, i riu u stërvit në baza amerikane në Afganistan dhe Irak përpara se të dërgohej në Iran. Familja e Hekmatit, e cila jeton në SHBA, i ka cilësuar akuzat ndaj të birit të fabrikuara, ndërsa argumenton se ai hyri në vend vetëm për të vizituar gjyshen që jeton ende në Iran.

Hekmati iu bashkua ushtrisë amerikane në vitin 2001 dhe shërbeu si përkthyes i marinsave në Afganistan dhe Irak. Në maj, Teherani lajmëroi për zbulimin e një rrjeti prej 30 operativësh të CIA-s, të akuzuar për “spinazh dhe sabotazh”.

Më parë gjatë muajit, Irani lajmëroi për nisjen e gjykimit ndaj 15 personave të përfshirë në veprimtari spiunazhi në favor të CIA-s dhe Mossad-it izraelit, por nuk dha asnjë detaj të mëtejshëm.

Top Channel