Bota, e papërgatitur ndaj katastrofave

27/12/2011 08:55

Bota është e papërgatitur nga katastrofat e ardhshme për shkak se vendet e pasura nuk po bëjnë sa duhet, ka paralajmëruar sekretari për zhvillimin ndërkombëtar, Andrew Mitchell.

Mitchell fajëson dështimin e shumë vendeve për të paguar për Fondin Qendror të Reagimit ndaj Emergjencave. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjohet dhe të përballet me këto sfida”, ka deklaruar Mitchell.

Qeveria britanike ka bërë gati 20 milionë stërlina për fondin, që do t’i shtohen 40 milionëve të premtuar më parë. Megjithatë, fondi do të pësojë një humbje prej 45 milionë vitin e ardhshëm.

Fondi, i ngritur nga Kombet e Bashkuara, është rrënuar për shkak të valës së katastrofave natyrore të këtij viti, si tsunami në Japoni, një tërmet në Zelandën e Re, kriza e urisë në Bririn e Afrikës, dhe përmbytjet në Pakistan dhe Filipine.

Zoti Mitchell tha se rritja e numrit të njerëzve që jetojnë në zonat e varfëra tregon se tragjeditë në të ardhmen do të jenë edhe më të mëdha.

Fondi Qendror i Reagimit ndaj Emergjencave u ngrit në vitin 2004 pas tsunamit vdekjeprurës të Oqeanit Indian.

Zoti Mitchell tha se shumë vende presin që katastrofat të ndodhin para se t’u ofrohet para, gjë që mund të sjellë pasoja në mënyrat e reagimit ndaj tragjedive.

Ai shtoi se në orët e para të një katastrofe, kur të mbijetuarit janë të bllokuar në rrënojat e ndërtesave për shkak të një tërmeti, vonesat dhe mungesa e resurseve mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes.

“Këtë vit bota është tronditur nga katastrofa shkatërruese dhe provat sugjerojnë se këto fenomene kanë gjasa që të përsëriten”, shtoi Mitchell.

Top Channel