Presidenti i Nigerisë dënon masakrën

26/12/2011 09:05

Presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan, ka dënuar sulmet “e pajustifikuara” që u bënë në ditën e Krishtlindjeve kundër kishave të krishtera në Abuxha, kryeqytetin e vendit afrikan.

Jonathan premtoi se autorët e atentatit do të vihen para drejtësisë.

“Këto akte dhune kundër qytetarëve të pafajshëm janë një sfidë që i bëhet sigurisë sonë dhe lirive kolektive”, lexohet në një komunikatë të presidencës nigeriane.

Të dielën, një shpërthim bombe shkatërroi një kishë katolike pranë kryeqytetit nigerian të Abuxhës, ndërsa janë raportuar 25 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Shpërthimi ndodhi në kishën e “Shën Terezës”, në Medalla, në kohën kur po mbahej mesha e Krishtlindjeve. Ndërkohë, një shpërthim i rënde tronditi një tjetër kishë në qytetin e Josit rreth mesditës, ndersa mbahej një shërbesë fetare. Për këtë atentat të dytë nuk ka ende informacion mbi viktima apo të lënduar.

Një zyrtar vendas ne Abuxha u shpreh për reporterët se situata është aq dramatike, sa që autoritetet nuk kanë autoambulanca për të transportuar në spital të gjithë të lënduarit.

Sasia e ekplozivit ka qenë e tillë sa që shpërthimi është ndjerë deri disa kilometra larg, ndërsa xhamat e shtëpive pranë janë thyer.

Top Channel