Kinë-Japoni, takim për Korenë e Veriut

26/12/2011 15:25

Liderat kinezë dhe japonezë u takuan të hënën për të diskutuar planet për paqe dhe stabilitet në gadishullin Korean, pasi vdekja e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-il, ka shkaktuar frikë për një konflikt të ri në rajon.

Kryeministri i Japonisë, Yoshihiko Noda u takua me presidentin Hu Jintao, ndërsa në takimin e zhvilluar në Pekin u bisedua edhe për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy superfuqive aziatike.

”Të dy shtetet tona besojnë se ruajtja e paqes dhe qëndrueshmërisë në gadishullin Korean i shërben interesave të të gjithë vendeve të rajonit”, deklaroi një zëdhënës zyrtar i autoriteteve kineze.

”Kina dhe Japonia janë të gatshme të organizojnë përpjekje të sinkronizuara për të ruajtur stabilitetin jetik për të gjtihë Azinë Lindore”.

Në takimin e Hu Jintao me Nodën, vdekja e Kim Jong-il “errësoi” diskutimet tradicionale midis Pekinit dhe Tokios, që kanë përplasje për disa territore ishullore në Detin e Kinës Lindore.

Vdekja e liderit të shtetit komunist u shpall nga Peniani zyrtar në 19 dhjetor dhe problemi i zëvendësimit të tij është shqetësues, pasi nuk dihet nëse Kim Jong-un do të ndjekë një vijë radikale apo do të sjellë një frymë liberalizimi në shtetin e tij.

Top Channel