Irak, sulmi kamikaz në ministri

26/12/2011 00:00

Katër ditë nga vala e sulmeve që mori 70 jetë njerëzish në Bagdad, kryeqyteti irakian është tronditur nga një tjetër shpërthim.

Shënjestra këtë herë ishte ndërtesa e Ministrisë së Brendëshme. 7 të vdekur e gati 30 të plagosur është bilanci i episodit më të fundit të dhunës që ka tronditur qetësinë e brishtë Bagdadit pas tërheqjes së trupave amerikane.

Sulmi ishte vepër e një kamikazi. Agresori e ka përplasur makinën e tij të mbushur me eksploziv në portën kryesore të ministrisë, pikërisht në kohën kur rojet po e hapnin për të lejuar hyrjen e punëtorëve të mirëmbajtjes.

Spiralja e dhunës ka njohur një tjetër përshkallëzim këtë periudhe duke përkuar sa me largimin e amerikanëve, aq edhe me problemet që shkaktoi në qeveri mandat-arresti i zëvendëspresidentit sunit, Tarik al Aashemi.

Tensionet janë rishfaqur sërish duke ngjallur frikën se trazirat politike mund të bëhen shkak për rikthimin e gjakderdhjes mes sekteve, që thuajse rrënoi vendin atëherë kur lufta ishte në pikun e saj.

Top Channel