Irak-OKB, marrëveshje për azilantët iranianë

26/12/2011 15:35

Iraku dhe Organziata e Kombeve të Bashkuara kanë rënë dakord për një plan që do të risistemojë mbi tre mijë azilantë iranianë, të mbetur në vend në një kamp refugjatësh që prej luftës irako-iraniane në vitet 1980.

Rezidentët e kampit Ashraf ishin pjesë e Organizatës së Muhaxhedinëve të Iranit, të cilët luftuan përkrah ushtarëve irakenë. Marrëveshja është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i rikthyen administrimin e kampit autoriteteve vendase në 2009-n.

Qeveria irakene, me shumicë shiite, ka përsëritur prej kohësh vullnetin e saj për mbylljen e kampit. Në bazë të marrëveshjes së firmosur, rezidentët e kampit do të zhvendosen në vendbanime të përkohshme, ndërsa statusi i tyre përfundimtar do të përcaktohet prej OKB-së.

”UNHCR do të dërgojë menjëherë një skuadër në vendbanimet e reja, për t’u marrë me verifikimin e statusit dhe të respektimit të të drejtave të rezidentëve”, u njoftua nëpërmjet një deklarate të këtij organizmi.

Sipas dokumentit, zhvendosja do të bëhet në mënyrë vullnetare. Nuk është ende e qartë se kur do të nisë ky proces.

Top Channel