Protestat kundër Putinit

25/12/2011 00:00

Protestat në Rusi kanë rikthyer me dhjetëra mijëra vetë të mbledhur në qendër të Moskës në njërin prej tubimeve më të mëdha të ketij lloji prej vitesh.

Zemërim ndaj manipulimit të zgjedhjeve dhe thirrje për largimin e Vladimir Putin, kjo ishte ajo cfarë përcolli grumbullimi gjigand.

“Kemi aq shumë njerëz këtu sa për të sulmuar Kremlinin dhe selinë e qeverisë, por për momentin nuk e bëjmë, por nëse këta hajdutë do të vazhdojnë të na mashtrojnë, do të kalojmë në veprim. Nuk mund të tolerojmë pafundësisht”, tha përpara turmës së njerëzve Alexei Navalni, bloggeri më i famshëm rus anti-Putinit.

Policia flet për 29.000 pjesëmarrës në protestë, por organizatorët e vendosin këtë shifër në 120.000. Arma e përdorur prej tyre ishte ironia kundër Putinit. Tubuesit kaluan një “rezolutë” për të mos i dhënë kryeministrit as edhe një votë të vetme në zgjedhjet presidenciale të vitit që vjen.

Një zëdhënës i Putinit tha për BBC-në se kryeministri gëzon mbështetjen e shumicës së popullsisë, dhe protestuesit i përshkroi si pakicë.

Dimitri Peskov u shfaq në intervistë mëse i bindur se kreu i ekzekutivit do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të muajit mars, ku sipas tij, qëndron më lart se cdo konkurent tjetër. Por lumi i njerëzve që vërshuan në rrugën Sakharov, jo shumë larg Kremlinit në temperaturë nën zero, sfidon besimin e palëkundur të Putinit dhe njerëzve të tij në fitore.

Protesta të ngjashme janë mbajtur në mbarë Rusinë, më e madhja në Vladivostok.

Presidenti, Dimitri Medvedev njoftoi këtë javë vendimin për reforma politike, por demonstruesit thonë se nisma e tij nuk është e mjaftueshme dhe kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve.

Top Channel