SHBA, dhunë për modelin e ri të “Nike”

24/12/2011 08:45

Skena të dhunshme janë regjistruar në dyqanet në mbarë Shtetet e Bashkuara, pasi qytetarët kanë vërshuar për të blerë atletet e reja të markës së njohur “Nike”.

Trazira janë regjistruar nga Kalifornia deri në Xhorxhia, teksa klientët u përpoqën të blinin një variant të modelit klasik “Air Jordan”.

Një palë atelte të modelit të ri kushton rreth 180 dollarë, por në faqen e njohur të internetit eBay cmimi për këtë produkt ka shkuar deri në 605 dollarë.

Skenat e shëmtuara u kujtuan amerikanëve aktet e dhunës që shpërthyen në fillim të viteve ’90 në rrugët e Shteteve të Bashkuara, ku atletet u bënë objekti i preferuar i hajdutëve.

Në orët e para të së premtes policia përdori spraj djegës ndaj rreth 20 klientëve, që kishin filluar të ziheshin në një qendër tregtare në periferi të Siatëllit.

Ata ishin në pritje në radhë për të blerë modelin e ri bardhezi “Air Jordan”, kur papritur mes tyre shpërtheu një përleshje që detyroi drejtuesit e qendrës të thërrisnin policinë.

Një person u arrestua pasi goditi me grusht një oficer policie. “Ai nuk i mori dot atletet, ai u fut në burg. Nuk ishte dicka e bukur. Mes njerëzve kishte një klimë armiqësore”, ka treguar oficeri Mike Murphy.

Top Channel