Seuli: Jo armiqësi ndaj Koresë së Veriut

22/12/2011 09:50

Koreja e Jugut po përpiqet të mos shfaqë armiqësi ndaj Penianit, duke deklaruar se kthimi i stabilitetit në vendin komunist është në interes të Azisë.

Presidenti Lee Myung Bak i bëri këto komente në një takim me deputetët kryesorë të Parlamentit të Seulit, bën të ditur agjencia e lajmeve “Yonhap”.

Seuli zyrtar do të dërgojë një negociator të rëndësishëm në Pekin për bisedimet mbi situatën në Korenë e Veriut pas vdekjes së liderit Kim Jong il.

Ndërkohë, mediat shtetërore të Koresë së Veriut vazhdojnë të raportojnë për homazhe masive në nder të “liderit të dashur”, që ndërroi jetë të shtunën si pasojë e një ataku në zemër.

69-vjecari udhëhoqi Korenë e Veriut që nga vdekja e babait të tij në vitin 1994 dhe u kthye në një personalitet kult, për shkak të historive të shumta për mrekulli apo heroizma që ndodhnin rreth tij.

Ditën e enjte mediat shtetërore raportuan se mbi 5 milionë persona kishin bërë homazhet e tyre për Kim Jong il. “Edhe natyra është në zi”, shkruante agjencia shtetërore “KCNA”.

“Një stuhi dëbore përfshiu vendin pasi zoti Kim vdiq dhe një sipërfaqe akulli mbi një liqen vullkanik pranë vendit të tij të lindjes u kris”, shkruante më tej agjencia.

Mediat shtetërore u kanë bërë thirrje qytetarëve koreano-veriorë që të mbeten të bashkuar nën drejtimin e trashëgimtarit të tij, të birit Kim Jong un, që është etiketuar si “trashëgimtari i madh”.

Ende nuk dihet me saktësi se cfarë do të bëhet tani, por vëzhguesit druhen se për shkak se transferimi i pushtetit nga i ati tek i biri nuk është zyrtarizuar para vdekjes së Kim, në vend mund të krijohen tensione.

Vendet fqinje në rajonin e Azisë po ndjekin me interes ngjarjet në vendin e izoluar nga ndërkombëtarët, që është dhe njëkohësisht fuqi bërthamore.

Megjithatë, ndërsa në Korene e Veriut ka nisur gjuetia e fenomeneve të mbinatyrshme, shërbimet koreano-jugore të inteligjencës ngrenë pyetje si ndodhi kjo vdekje.

Fotot satelitore amerikane nuk tregojnë asnjë tren të veçantë në zonë, të shtunen kur Kim vdiq, siç u tha nga një atak kardiak gjatë vizitës në periferi të Penianit.

Dy Koretë mbeten teknikisht në luftë që prej konfliktit të 1950-tës, të mbyllur vetëm me një armëpushim dhe Seuli i druhet paqëndrueshmërisë në fqinjin verior, zotërues të armëve bërthamore.

Për të shmangur përshkallëzimet e situatës, Koreja e Jugut hoqi dorë nga planet për ndezjen e dritave të strukturës së çeliktë të Krishtlindjeve në kufi, e po kështu ka paraqitur ngushëllimet e saj për vdekjen e Kim Jong Ilit.

Top Channel