Amy Acton drejt historisë në Ohio, mund kundërshtarin republikan të mbështetur nga Trump

04/11/2026 09:50

Demokratja Amy Acton ka fituar zgjedhjet për guvernatore në Ohio, sipas parashikimeve të mediave amerikane, duke u bërë gruaja e parë që pritet të drejtojë këtë shtet dhe demokratja e parë në dy dekada që fiton garën për këtë post.

Acton arriti të mposhtë kandidatin republikan Vivek Ramaswamy, i cili kishte mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump. Fitorja e saj konsiderohet një rezultat i rëndësishëm politik, veçanërisht duke pasur parasysh se Ohio ka votuar për Trump në tri zgjedhjet e fundit presidenciale. Në vitin 2024, republikani fitoi në këtë shtet me një diferencë prej 11 pikësh ndaj Kamala Harris.

Fushata zgjedhore u shoqërua me polemika të forta, pasi Ramaswamy publikoi një video ku shfaqej nëna e kandidates demokrate, Donna Arthur, duke e akuzuar të bijën se ishte një “gënjeshtare”.

Acton kishte deklaruar më herët se nëna e saj kishte mbyllur sytë ndaj abuzimit seksual që ajo kishte përjetuar gjatë fëmijërisë nga njerku i saj. Ky i fundit u arrestua më vonë dhe u akuzua për përdhunimin e saj.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, kandidatja demokrate tha se ajo dhe vëllai i saj kishin përjetuar abuzim, uri dhe braktisje.

Publikimi i videos nga Ramaswamy shkaktoi reagime të shumta në skenën politike amerikane. Senatori republikan në largim i Ohajos, Mike DeWine, kërkoi që ai të tërhiqej nga gara.

Megjithatë, Donald Trump i kërkoi Ramaswamy-t të mos tërhiqej, duke deklaruar se publiku duhej të dëgjonte edhe versionin e nënës së kandidates demokrate. Presidenti amerikan argumentoi gjithashtu se në një fushatë zgjedhore “çdo gjë lejohet”.

Top Channel