SHBA, mbyllet faza e parë e gjyqit të Manning

21/12/2011 19:40

Është mbyllur faza e parë e gjyqit të ushtarit Bradley Manning, i akuzuar si njeriu që furnizoi “Wikileaks” me dhjetëra mijëra dosje sekrete të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Faza e parë e gjyqit do të përcaktojë nëse ai do të përballet me një gjykim ushtarak apo jo. Në rast se do të jepet një vendim pro gjykimit, atëherë 24-vjeçari Manning rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm për akuzën e spiunazhit dhe tradhëtisë së lartë.

Mbrojtja thirri vetëm dy dëshmitarë, oficerë që kanë shërbyer së bashku me ushtarin në Irak, një ditë pasi prokurorët paraqitën përpara gjykatës plot 21 dëshmitarë.

Manning, një ekspert kompiuterik, është personi që i ka kaluar “Wikileaks” kabllogramet e famshme, të cilat kanë diskretituar dukshëm në opinionin publik politikën e jashtme amerikane.

Veprimtaria e tij u zbulua kur një pirat kompiuterik siguroi rastësisht akses në kompiuterin e Manning dhe e denoncoi tek autoritetet përkatëse.

Pritet që gjykata të ketë nevojë për disa javë kohë, përpara se të vendosë nëse Manning duhet të përballet ose jo me një gjykim ushtarak.

Top Channel