Rusi, lirohet nga burgu kryeaktivisti Navalny

21/12/2011 15:30

Një figurë kyçe në protestat anti-qeveritare të ndodhura në Rusi, Alexei Navalny, u la i lirë të mërkurën, edhe pse i bëri të qartë autoriteteve që ka ndërmend të organizojë demonstrata të reja.

Navalny vuajti në burg një dënim 15-ditor për akuzën e pengimit të veprimtarisë së policisë. Ndërkohë, 25 persona u arrestuan gjatë ditës, pasi organizuan një protestë të paautorizuar në afërsi të Parlamentit Rus.

Duke folur përpara përkrahësve të tij, njeriu që ka ndezur shumë revolta nëpërmjet një faqeje interneti që kontrollon, u shpreh se “është e domosdoshme të kryhen përpjekje të jashtëzakonshme”, në mënyrë që protestat për të sjellë demokraci në vend të vazhdojnë.

Protestat kanë shpërthyer në Rusi pasi parregullsi të shumta u vërtetuan në zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit. Kryeministri Vladimir Putin, është gjithashtu lider i partisë “Rusia e Bashkuar”, e cila fitoi një shumicë të ngushtë në “Duma”.

Të nesërmen e arrestimit të Navalny, në 6 dhjetor, Moska u ballafaqua me protestat më të mëdha të mbajtura ndonjëherë, që prej rënies së Bashkimit Sovjetik. Një tjetër demonstratë madhore është paralajmëruar për ditën e shtunë.

”Unë nuk kam frikë dhe këto 15 ditë burgim më kanë bërë që të jem edhe më i guximshëm. Ata që kanë frikë janë të tjerë”, u shpreh Navalny përpara një turme prej qindra përkrahësish që e brohorisnin.

Top Channel