Kubë, bankat nisin të ofrojnë kredi

21/12/2011 20:00

Bankat në Kubë kanë nisur të ofrojnë kredi për individët për herë të parë në periudhën e regjimit komunist, në atë që përbën reformën e radhës drejt kalimit në një treg gjithmonë e më të lirë.

Ndonëse të gjithë qytetarët kanë të drejtë të aplikojnë, autoritetet kanë bërë me dije se përparësi do të kenë pronarët e bizneseve të vogla, personat që janë të punësuar në bizneset e tyre, fermerët dhe ata që kanë nevojë për para që të ndërtojnë shtëpi.

Në ditën e parë, pavarësisht radhëve të gjata që u formuan, bankat nuk bënë publike përqindjen e interesave që do të vendosin për kreditë që ofrojnë.

Në vitet e fundit, autoritetet kubaneze kanë ndërmarrë një seri reformash, që kanë patur si synim kalimin nga një ekonomi e centralizuar, në një treg gjithmonë e më të lirë.

Më parë gjatë vitit, për herë të parë në historinë e Kubës, u hap procesi i privatizimit, nga i cili përfitojnë 11,2 milion banorët që popullojnë ishullin. Gjithashtu, qytetarëve iu dha e drejta që të shesin e blejnë banesa pa autorizim shtetëror.

Që prej fitores së revolucionit të udhëhequr nga Fidel Castro dhe Che Guevarra në vitin 1959, Kuba drejtohet nga doktrina dhe filozofi komuniste.

Top Channel