Egjipt, hapen qendrat për balotazhin

21/12/2011 21:00

Për herë të parë në gjashtë ditë nuk ka pasur akte dhune në sheshin Tahrir dhe në zonën përreth, teksa qendrat zgjedhore janë hapur në 9 rajone egjiptiane për balotazhin e raundit të dytë elektoral.

Bilanci i viktimave të pesë ditëve të mbushura me përleshje të dhunshme është ngjitur në 15, me vdekjen e një të riu të plagosur në ditët e fundit.

Dhe ndërsa në vend mbizotëron pasiguria dhe paqëndrueshmëria, agjencia “Moody’s” ka zhvlerësuar sërish kategorinë e Egjiptit, duke e cuar në vlerësimin B2.

Protestat në Egjipt rifilluan pasi qytetarët kërkojnë kalimin sa më shpejt të pushtetit nga Këshilli Ushtarak, që e mori që pas rënies së Mubarak, tek pushteti civil.

Megjithëse autoritetet qeverisëse ushtarake kanë premtuar kalimin gradual të pushtetit, sapo procesi i zgjedhjeve të përfundojë, një grup protestuesisht kërkon largimin e menjëhershëm të Këshillit Suprem.

Grupi në fjalë, që nuk është ndonjë lëvizje politike apo militantësh, argumenton se ushtarakët me ligjet që po miratojnë kërkojnë të kontrollojnë cdo qeveri civile që do të vijë pas procesit zgjedhor.

Raundi i parë i zgjedhjeve zgjodhi Dhomën e Lartë të Parlamentit, ku u vu re përqindja e lartë e votave të marra nga dy partitë myslimane, ajo liberale Vllazëria Myslimane dhe ajo ekstremiste e salafitëve, që në program të tyre, mes të tjerash kanë edhe ndalimin e alkoolit dhe aplikimin e ligjit islamik.

Edhe në këtë raund, pritet që Vëllezërit Myslimane të marrin shumicën e mbështetjes së votuesve, për t’iu drejtuar më vonë raundit të tretë të zgjedhjeve që pritet të mbahet në 3-4 janar të vitit të ardhshëm.

Top Channel